OKB: Ligji i sigurisë së Hong Kong-ut shkel standardet ndërkombëtare
Qëndrimi i rëndësishëm erdhi pas një raporti të redaktuar nga një ekip ekspertësh për të drejtat e njeriut. Ajo qw kundërshtohet është përkufizimi i “akteve përmbysëse”: ai i drejtohet abuzimeve dhe kufizimeve të lirive personale.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, përmes një raporti të redaktuar nga një ekip ekspertësh për të drejtat e njeriut, dënoi ligjin e sigurisë të prezantuar nga Kina në Hong Kong pasi do të shkelte norma të shumta të së drejtës ndërkombëtare, madje edhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Dokumenti nënvizon se ligji, në fuqi në ish-koloninë për 2 muaj tashmë do të paraqiste boshllëqe të mëdha dhe serioze nga pikëpamja ligjore, të tilla si favorizimi i abuzimit të lirive themelore siç është ajo e shprehjes. Për më tepër, nuk do të përmbushte tre kriteret themelore të parashikuara në të drejtën ndërkombëtare: “Nevoja, proporcionaliteti dhe mosdiskriminimi”.
Për herë të parë që nga miratimi i ligjit të sigurisë, KB-ja mori një qëndrim të qartë ndaj Kinës duke bërë thirrje për një “rishikim të plotë” për të siguruar respektimin e “detyrimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.
Përkufizimet më të diskutueshme
Shqetësimi i grupit të caktuar nga Kombet e Bashkuara ka të bëjë me përkufizimin e “akteve të kryengritjes, përmbysjes dhe shkëputjes” të përfshira në ligj. Ky është një lloj krimi i përshkruar në një mënyrë jo precize, i cili në asnjë mënyrë nuk përmbush përkufizimin e njohur botërisht të terrorizmit. “Ky rregull” – lexon dokumenti – “mund të përdoret në një mënyrë krejt të pahijshme dhe të përdoret për të synuar zëra kundërshtues të tillë si aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë ose disa anëtarë të shoqërisë civile”. Në fakt, që kur ligji u miratua dhe u prezantua në Hong Kong, tashmë ka pasur 25 arrestime, veçanërisht midis personaliteteve të shquara të lëvizjes pro-demokracisë, hetime të gazetave, TV ose radio dhe shumë qytetarë kanë vendosur të shkojnë jashtë vendit, në shtete me një politikë të favorshme emigrimi.
“Ne jemi të shqetësuar se dënimi i akteve përmbysëse bëhet një mënyrë për të ndaluar, gjykuar dhe kriminalizuar njerëzit e përfshirë në veprimtari politike, shoqërore dhe arsimore,” theksuan ekspertët. Krijimi i një force të fshehtë të policisë, një komiteti mbikëqyrës të udhëhequr nga qeveria e Pekinit dhe kërkesa që policia dhe prokurorët të respektojnë betimin e fshehtësisë u kritikuan gjithashtu. Aspekte që do të tregonin se sa është kompromentuar i gjithë sistemi institucional i Hong Kongut, dhe për të cilin ka mbetur pak nga statusi i lirisë që qytet-shteti gëzonte përpara ligjit të sigurisë.
Nuk është e qartë nëse këto deklarata do të pasohen nga veprime më konkrete nga bashkësia ndërkombëtare, por nga ana e saj, Kina vazhdon të mbrojë veten nga ato që i ka quajtur vazhdimisht akuza të pabazuara. Shpjeguese, në këtë kuptim, ishin fjalët e zëdhënësit të Ministrisë Hua Chunying: “Ligji mbron qytetarët e Hong Kongut: ai shërben për të na mbrojtur nga ata që na shpifin dhe nga ata që ndërhyjnë në punët e vendit tonë”.(WIRED)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.