OKB, sanksione Koresë së Veriut – I ndërpritet furnizimi me naftë në masën 90%

Këshilli i Sigurisë në OKB vendosi në mënyrë unanime që të implementojë sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut për shkak të testimeve më të fundit me raketa balistike interkontinentale. Ky vendim ka për synim që të kufizojë aksesin e Pyong Yangut në produktet dhe nënproduktet e naftës si dhe të fitimeve nga punëtorët e saj jashtë vendit.
Rezoluta e sapomiratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon të kufizojë në masën 90% të eksporteve të rafinuara të naftës drejt Koresë së Veriut. Nga ana tjetër, rezoluta kërkon që punëtorët e Koresë së Veriut që punojnë jashtë vendit të rikthehen në atdhe brenda 24 muajve të ardhshëm. Një projekt-rezolutë e Shteteve të Bashkuara kërkon gjithashtu që eksportet e naftës bruto të ulen në 4 milionë fuçi në vit.
Gjatë vitit të fundit, tensionet mes Koresë së Veriut dhe vendeve të tjera, kryesisht fqinjëve dhe sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përshkallëzuar ndjeshëm, ndërkohë që retorika e përdorur ka qenë mjaft luftarake nga të gjitha palët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.