Olindo Shehu në ‘Argument’ : ‘Politika duhet të lejojë biznesin të bëjë punën e vet, pasi ekonomia ështe e lidhur ngushtë me politiken’
Olindo Shehu, nga Deloitte Albania, ishte pjesë e panelit, të hënën në mbrëmje në ‘Argument’ për të diskutuar jo vetëm rreth krizës politike por dhe asaj ekonomike. Sipas Shehut, në Shqipëri ka qenë gjithmonë sfidë të bërit biznes dhe kjo krizë politike e ka vështirësuar akoma dhe më shumë.
‘’Investimet e huaja nuk marrin spunto vetëm nga kriza politike, por frika për të investuar lind dhe nga problemi i ofertave që ne ofrojmë si shtet. Kjo lidhet ngushtësisht me politikën në Shqipëri, e cila nuk ka shkëlqyer ndonjëherë përsa i përket mbështetjes që i ka dhënë biznesit, madje ka qenë biznesi ai i cili ka arritur t’ja dalë mbanë, pavarësisht kushteve të vështira në të cilën ka operuar.
Rrallë shohim politikën të bëhet bashkë për të sjellë zhvillim të vendit, pasi fokusi i tyre është të bëjnë politikë për interesa personale.’’
Shehu deklaron i shqetësuar se kemi kompani që kanë investuar miliona euro në Shqipëri dhe shteti shqiptar zgjedh t’i ndryshojë ligjet në raport me biznesin, pa menduar për pasojat që shkakton.
‘’ Sa i takon turizmit kemi bërë hapa pozitivë, pasi vit pas viti shohim se kemi turistë të huaj besnikë, por ky destabilitet politik, po e shkatërron tërësisht imazhin e krijuar. Duhet që palët të dialogojnë për zgjidhjen e krizës, duke mos shpresuar për ndryshime brenda ditës.’’- thekson Shehu në ‘Argument’.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.