Omicron, më i rrezikshëm për të pavaksinuarit – Ish-këshilluesi i Shtëpisë së Bardhë thotë se vaksinat janë ende efektive

Varianti i ri Omicron i koronavirusit përbën një rrezik më të madh për të pavaksinuarit dhe ka arsye për të besuar se vaksinat në dispozicion janë efektive, sipas ish këshilluesit të Shtëpisë së Bardhë. “Ajo që dimë është se është variant i rrezikshëm për njerëzit e pavaksinuar”- tha Andy Slavitt, duke shtuar se ajo që duhet mësuar është nëse varianti përhapet aty ku Delta është i fortë. Slavvitt ka shërbyer më parë si këshillues kryesor tek ekipi i koronavirusit të Joe Biden dhe ka drejtuar Qendrën për Shërbime Mjekësore nën administratën e Obama.
Raportimet e mjekëve sugjerojnë se omicron mund të sjellë sëmundje më të butë krahasuar me variantet e tjerë, por kjo mund të vijë prej reagimeve të mëparshme imunitare, sipas Jerome Kim, drejtorit të përgjithshëm të Institutit Ndërkombëtar të Vaksinave. Ai tha se një pjesë e madhe e botës është vaksinuar apo infektuar me Covid në një pikë përpara shfaqjes së Omicron.
“Prezenca e imunitetit si nga vaksina, apo infeksionet e mëparshme, do të zbusë sëmundjen” – tha ai, duke shtuar se nuk ka shumë njerëz të ekspozuar ndaj omicron që nuk janë vaksinuar apo infektuar më parë. Sipas Kim, nuk mund të thuhet nëse është më i ashpër në një mjedis natyror, apo nëse është më pak i ashpër për shkak të reagimeve të mëparshme imunitare.
Varianti Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi, është ende përgjegjës për shumicën e infeksioneve me Covid, sipas OBSH. Varianti Omicron u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe është shfaqur tashmë në shumë vende, përfshirë SHBA, Britani, Australi dhe Gjermani. Ekspertët shëndetësorë janë shqetësuar mbi transmetueshmërinë e variantit duke marrë parasysh mutacionet e pazakonte dhe profilin që e ndan nga variantet e mëparshme. Shkencëtarët po përpiqen gjithashtu të zbulojnë se sa efektive janë vaksinat aktuale në mbrojtjen e njerëzve nga sëmundja e ashpër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.