OPEC nxit çmimet – Po vlerësohet mundësia e shtyrjes së paktit përtej Qershorit
Çmimet e naftës u regjistruan në rritje gjatë sesionit të dytë të javës duke marrë shtysë nga deklaratat e OPEC për një shtyrje në kohë të marrëveshjes për shkurtimin e prodhimit.
Edhe të dhënat që flasin për një rritje të kërkesës globale për arin e zi i kanë dhënë një shtysë çmimeve gjatë sesionit të së martës. Në orët e para të sesionit të sotëm tregtar, Nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.97 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 48.50 dollarëve për fuçi.
Organizata e vendeve eksportuese të naftës së bashku me prodhues të tjerë, përfshirë Rusinë janë dakordësuar të shkurtojnë prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë gjatë periudhës janar-qershor.
Por deri tani, kjo marrëveshje nuk ka dhënë efektet e dëshiruara. Për këtë arsye vendet anëtare të organizatës po mendojnë të shtyjnë paktin përtej qershorit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.