OPEC rrit naftën – Prodhuesit shtyjnë uljen e prodhimit deri në fund të 2018

Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm, për shkak se OPEC dhe prodhuesit e tjerë të naftës ranë dakord të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit deri në fund të vitit 2018, në përpjekje për të ulur rezervat globale të naftës dhe të rrisin çmimet.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, plus vendet e tjera, me në krye Rusinë, ranë dakord të ruajnë nivelet aktuale të uljes së prodhimit, prej 1.8 milionë fuçi. Gjithashtu, prodhuesit sinjalizuan se, mund të tërhiqen më herët nga marrëveshja, nëse çmimet do të rriten sipas pritshmërive.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 57.7 dollarëve për fuçi. Gjithsesi, vendimi i OPEC për të shtyrë uljen e prodhimit ishte gjerësisht i pritshëm nga analistët dhe investitorët. Pikërisht këto pritshmëri, bënë që nafta Brent të fitojë rreth 3.6% të vlerës gjatë muajit nëntor, ndërsa nafta bruto amerikane ka fituar rreth 5.6% të vlerës.
Analistët shprehen se, OPEC po tregon një vendosmëri të fortë për të normalizuar rezervat globale të naftës. Megjithatë, Rusia ka shprehur shqetësime se, marrëveshja mund të rrisë menjëherë çmimet dhe bëri thirrje për një strategji të qartë të daljes. Por, Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, deklaroi se është e parakohshme të diskutohet për strategjinë e daljes, pasi bota po hyn në sezonin e dimrit, ku kërkesa për naftë është më e ulët.
Ndërkohë, shefi ekzekutiv i prodhuesit më të madh privat të naftës në Rusi, Lukoil, deklaroi se nëse tregu mbinxehet, OPEC dhe aleatët duhet të rrisin prodhimin. Moska është e shqetësuar edhe për rritjen e prodhimit të naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk është pjesë e marrëveshjes.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.