Opec shpall “fitoren” – Hendeku kërkesë-ofertë në treg po eleminohet

Ministrat e naftës të vendeve të OPEC por edhe të vendeve të tjera prodhuese, në marrëveshje me organizatën, deklaruan se, hendeku kërkesë-ofertë që ka çuar sektorin në krizë gjatë viteve të fundit, po eleminohet.
Ndër të tjera, ata shtuan se, do të presin muajin Janar të vitit të ardhshëm për të vendosur në rast se do të shtyjnë në kohë marrëveshjen e shkurtimit të prodhimit, përtej tremujorit të parë të 2018-ës.
Që prej fillimit të 2017-ës, vendet e OPEC por edhe prodhues të tjerë jashtë organizatës, me në krye Rusinë, janë angazhuar për të shkurtuar prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, duke nxitur rritjen e çmimeve me të paktën 15%.
“Unë mendoj se mund t`i rikthehemi kësaj çështje, jo më herët se muaji Janar i vitit të ardhshëm”, deklaroi ministri rus i naftës. Ministrat u takuan në Vjenë gjatë takimit të tyre periodik dhe u angazhuan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë edhe përgjatë vitit të ardhshëm, pavarësisht shtyrjes ose jo të marrëveshjes.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.