Operacioni “Antikat” – Policia arreston në flagrancë 3 shtetas dhe sekuestron dy vepra arti me vlerë 50 mijë euro
Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e operacionit të koduar “Antikat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit në kuadër të të cilit ka sekuestruar dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore të cilat do të shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.
Sipas njoftimit Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas disa javë hetimesh të kryera për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Antikat” ku në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, shtetasit:
- A.V., 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit;
- A.V., 37 vjeç dhe R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë, shtetasi A. V. siguronte veprat e artit, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.