Operacioni “OPSON 8”- Procedohen penalisht 38 subjekte dhe 31 shtetas. Sekuestrohen 160 mijë dollarë mallra
Policia e Shtetit pjesëmarrëse në operacionin ndërkombëtar të koduar “OPSON 8”, për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, tregtimit, trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën/standarde dhe të falsifikuara, ka arritur të procedojë penalisht 38 subjekte dhe 31 shtetas.
Ky operacion ndërkombëtar u mbështet nga INTERPOL dhe EUROPOL, dhe përfshinte rreth 70 vende nga e gjithë bota. Gjatë operacionit në Shqipëri gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia në të gjitha qarqet sipas njoftimit të organit shtetëror janë arritur këto rezultate:
-Janë kontrolluar në total rreth 244 subjekte tregtare, si dhe proceduar penalisht 38 subjekte me veprën penale të “Shkelja e drejtave të pronësisë Industriale”, “Mashtrim”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Prodhim të Kundërligjshëm”, “Punësimi i paligjshëm”, ” Falsifikimi i dokumenteve”, etj.
– Janë proceduar penalisht në gjendje të lire 22 persona, si dhe janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar 9 persona
– Janë sekuestruar mallra të ndryshme ushqimore dhe pije të falsifikuara/nën standarde apo të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme me një vlerë prej 160 mijë dollarësh.
Produktet në fjalë ishin: Mish i ngrirë në sasinë 2534 kg; Verë në sasinë 8560 litra; Kafe 372 kg; Djathë 700 kg; Sallamra dhe nënprodukte 264 kg; Pije të forta alkoolike 52 litra, etj.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.