Operacioni për pastrimin e vendit – Rama: Në inspektim do të jetë edhe Policia e Shtetit

Kostot e ndotjes së mjedisit janë të larta, ndaj qeveria shqiptare për të bërë të mundur eliminimin e kësaj kostoje jo vetëm ekonomike, por edhe shëndetësore, do të përfshijë në operacionin 6-mujor edhe policinë e shtetit. Këtë gjë ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti vetëm pak ditë para nisjes së operacionit për pastrimin e vendit. Rama foli për transformim rrënjësor të kulturës dhe të mekanizmave për inspektimin mjedisor.
“Besoj që më herët se sa vonë, por patjeër brenda këtij gjashtëmujori, ne do të bëjmë një transformim rrënjësor të të gjithë kulturës së inspektimit dhe të mekanizmit të inspektimit. Faktikisht një pjesë e konsiderueshme e inspektimi, edhe për mjedisin, do t’i kalojë Policisë së Shtetit”, tha Rama
Kryeministri paralajmëroi masa të ashpra për krimet ndaj mjedisit duke nënvizuar se objektiv i qeverisë mbetet që sezoni i ardhëm turistik të jetë më i pastër ndër gjithë këto vite.
“Objektivi që kemi vendosur për 300 ditët e para të qeverisjes, është që sezoni i ardhshëm turistik të jetë sezoni më i pastër i vendit tonë dhe kudo ku bëhet plazh në Shqipëri, plehrat që kanë bashkëshoqëruar gjithë këto vite zhvillimin e turizmit, të jenë një kujtim i së shkuarës. Dhe për çdo rast që ato do të evidentohen, masat do të jenë drastike ndaj kujtdo që ndot mjedisin”, tha kryeministri.
Rama shtoi më tej se vendi ynë ngelet më i ndoturi në Evropë, edhe pse ka pasur më shumë ligje dhe strategji për mbrojtjen e mjedisit. Aktualisht në vendin tonë 1 individ gjeneron 400 kg mbetje në vit, nga të cilat 40 kg shkon për riciklim dhe pjesa tjetër kthehet në ndotës mjedisor.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.