Operacioni “Pneumatic”- Dogana: Zbulohet një rast kontrabande me goma automjetesh, ndalohet autori
Është zbuluar një rast i kontrabandimit të gomave të automjeteve, gjatë një transiti ndërkombëtar. Konkretisht, më datë 24.08.2017, ora 22:00, strukturat e Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit, si rezultat i një analize risku të kujdesshme, përfunduan me sukses operacionin “Pneumatic”, ku u zbulua një rast kontrabande gomash.
Një një njoftim të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave thuhet se: “Mjeti me targë WTHD225, i drejtuar nga shtetasi V.T. mbërriti në Portin e Durrësit më 23.08.2017, me linjën Ankona-Durrës, me destinacion final Kosovën. Gjatë kryerjes së kontrollit dhe skanimit të mjetit në degën e Doganës Durrës, rezultoi se transportonte mallra, kryesisht goma automjetesh me peshë 12405 kg. Bazuar në indikatorët e riskut, si dhe në dyshime të bazuara, u organizua operacioni “Pneumatic”, duke mbikëqyrur mjetin gjatë transitit me destinacion Kosovën.
Gjatë rikontrollit të mjetit në Degën e Doganës Morinë, rezultoi peshë mangët 7860 kg, duke faktuar veprën penale të kontrabandës, që konsiston në hedhjen në mënyrë të paligjshme për konsum të mallrave gjatë një procedure transiti ndërkombëtare. Drejtuesi i mjetit, shtetasi V.T. u arrestua në flagrancë”.
Mjeti dhe mallrat u sekuestruan, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për hetime të mëtejshme.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.