Operacioni i ujit – Bonati: Aksion derë më derë për informimin e abonentëve
Ujësjellësat duhet të ndërmarrin fushatë informimi për çdo abonent derë më derë, duke i ftuar të bëhen pjesë e procesit të rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm”.
Kërkesa është bërë nga zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, gjatë një takimi me drejtorët e këtyre ndërmarrjeve, ku ndër të tjera u prezantua edhe plani në detaje i operacionit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.
“Përveç angazhimit të qeverisjes qendrore, me këtë fushatë sensibilizuese duke filluar nga të gjitha nivelet, një rol shumë të rëndësishëm do të luajnë vet ndërmarrjet. Ju jeni përgjegjës për të ofruar një shërbim më të mirë. Pjesa e sensibilizimit nëse do të jetë e mundur, dhe ju duhet ta organizoni kështu punën, të shkohet derë më derë dhe konsumatorëve duhet tu thuhet e vërteta siç është, si atyre që kanë qenë të rregullt me pagesën e detyrimeve gjithë këto vite ashtu edhe atyre që nuk kanë qenë të rregullt, jo vetëm për fajin e tyre por për fajin e gjithë sistemit, të të gjitha niveleve të qeverisjes”.
Në takim u vu theksi edhe tek nevoja që ndërmarrjet e ujësjellësve të mirëmenaxhojnë burimet njerëzore pasi në shumë raste ato janë të tejfryra.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.