Operacionin “Kasapi” arrestohen 2 persona. Ishin kthyer në tmerrin e fshatrave, vidhnin bagëtitë me furgon
Efektivët e policisë të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Shijak, pas një pune hetimore, kanë finalizuar operacionin “Kasapi” me qëllim evidentimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të autorëve të dyshuar të veprave të ndryshme penale.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 2 shtetas për veprat penale “Vjedhja” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, të cilët janë A.N., 32 vjeç, banues në Kurbin dhe E.L., 38 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë.
Shtetasi A.N dyshohet se ka kryer 7 vjedhje në harkun kohor prill-korrik, konkretisht në fshatin Barbullojë, Tale e Beqel në Lezhë dhe në Karpen, Fllakë, Shijak e Maminas, ku ka vjedhur gjithsej 11 krerë bagëti të trasha.
Gjithashtu gjatë operacionit, Policia i gjeti dhe i sekuestroi shtetasit A.N një mjet furgon që shërbente për të transportuar bagëtitë e vjedhura.
Ndërsa arrestimi në flagrancë i shtetasit E.L ndodhi gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e tij në Paskuqan ku u gjetën 2 krerë bagëti të trasha të vjedhura në Tale, Lezhë dhe në Maminas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme mbi këto vepra penale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.