Opinion / Problemi ekonomik që na prek të gjithëve, e ardhmja duket e pasigurtë
Mallkimi më i madh i politikës është se njerëzimi kurrë nuk do të shterojë nga problemet që janë për tu zgjidhur. Edhe kur politikanët performojnë në maksimum, drejtuesit tanë kurrë nuk kanë mundësi të ndjejnë shkëlqimin e një pune të bërë mirë; çdo krizë ndiqet nga një tjetër në vazhdimësi të shpejtë, dhe kërkimi për barazi është i pashterueshëm.
Megjithatë është e thjeshtë të ndjekësh problemet me të cilat njerëzimi haset sot, por gjithçka vështirësohet kur në objektiv hyn e ardhmja dhe problemet që ajo do t’i sjellë civilizimit.
Nick Hanauer dhe David Goldstein intervistojnë Kevin Kelly, themeluesi futurist i ‘Wired Magazine’, për të ndihmuar në etiketimin e konflikteve që do të ngarkojnë brezin e ardhshëm të mendimtarëve politik. Si autor i bestsellerit të New York Times për vitin 2016 “E pashmangshmja: Të kuptuarit e 12 forcave teknologjike që do të formësojnë të ardhmen tonë”, Kelly është pozicionuar në mënyrë unike për këtë detyrë.
Midis temave të tjera, Kelly beson se “ekonomia rreth pronësisë së të dhënave online” do të bëhet problem gjatë dekadës së ardhshme. Pabarazia e të dhënave, kush jemi ne, çfarë dihet për ne, dhe a është e drejtë, janë absolutisht një çështje ekonomike. Kurdoherë që hapim aplikacionin tonë në Facebook ose kontrollojmë Gmail-in tonë, ne po e shndërrojmë veten në një produkt, të cilin kompanitë teknologjike më pas e paketojnë dhe e hedhin në treg për reklamuesit.
Informacioni ynë tashmë është një mall i shitshëm, por dhjetë vitet e ardhshme do të shohim që do të zërë një pjesë më të madhe të ekonomisë sonë, argumenton Kelly. Nëse të dhënat tona rriten në vlerë dhe struktura e tanishme e fuqisë mbetet në vend, minatorët e të dhënave si Facebook, Amazon dhe Google do të rriten pakundërshtueshëm në fuqi. Ndërsa hendeku i pabarazisë midis Silicon Valley dhe pjesës tjetër prej nesh zgjerohet, duhet gjetur një mënyrë për të zgjidhur këtë çekuilibër të fuqisë.
Për të kuptuar plotësisht problemin e pabarazisë së të dhënave, duhet kuptuar se çfarë pasurie, saktësisht, është në diskutim. Pavarësisht sa pasuri ose fuqi mund të posedojë një person, askush nga ne nuk është i pavdekshëm. Kjo do të thotë se koha jonë në këtë planet është e kufizuar, dhe vëmendja jonë ka një vlerë të jashtëzakonshme. “Nëse vëmendja është burimi më i paktë që kemi,” tha Kelly, “është interesante që po e japim për gati falas.”
Modeli mbizotërues i krijimit të të ardhurave në internet ende varet nga reklamimi dhe të dhënat e marra nga sjelljet tona online, dhe nuk ka gjasa që kjo të ndryshojë shpejt.
Kelly ka kaluar gjithë jetën e tij duke punuar për teknologjinë dhe zgjidhjen problemit ja jep përmes saj: Konsumatorët duhen paguar për të parë reklamat në varësi të kredencialeve të tyre. Megjithatë kjo është thjesht një qasje; politikanët në të kundërt kanë nisur të mendojnë si zgjidhje politika, sikurse taksimi i dividendit online, taksimi i çdo grumbulluesi të dhënash online etj.
Shumë nga gara presidenciale e vitit 2020 do të harxhohet duke diskutuar mbi dy sistemet ekonomike që mbizotëruan në shekullin e kaluar: kapitalizmit dhe socializmit, kur në fakt duhet debatuar se si mundet të ndërtohet një ekonomi e re, që do ketë kapacitetet për t’u marrë me problemet e 100 vjetëve të ardhshme. Nëse vazhdojmë përpjekjen për të rregulluar problemet e së ardhmes me mjetet e së kaluarës, do të vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime gjithmonë.
DOSTI BANUSHI – SCAN
BURIMI: BUSINESS INSIDER
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.