Opozita çeke sfidon kryeministrin Babis me mocionin e mosbesimit
Partitë e opozitës thanë se do të kërkojnë mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit çek Andrej Babis për konfliktet e dyshuara të interesit, edhe pse nuk kanë mjaftueshëm vota për të fituar. Të pesta partitë do të paraqesin kërkesën e tyre të premten për një sesion të posaçëm të parlamentit, bënë me dije udhëheqësit e tyre në një konferencë shtypi ditën e martë.
“Kjo qeveri, me këtë kryeministër, ka prishur reputacionin e Republikës Çeke brenda dhe jashtë vendit, prandaj ne e konsiderojmë këtë hap një gjest moral dhe politik“, tha Marek Vyborny, kryetar i Kristian Demokratëve. Babis ka mohuar çdo veprim negativ nga ana e tij, duke i quajtur akuzat një manovër politike.
Komisioni Europian ka përcaktuar që Babis është në konflikt interesi për shkak të perandorisë së tij të biznesit të vendosur në fonde mirëbesimi dhe për këtë arsye vendi mund të humbasë disa fonde nga BE. Miliarderi që tashmë i ka hyrë politikës po përballet gjithashtu me protesta të forta lidhur me përfshirjen e mundshme në një rast penal në të cilin policia rekomandoi që ai të përballet me gjyqin mbi një subvencion të BE-së prej 2 milion euro për një fermë dhe qendër kongresesh.
Me mbështetjen e partisë komuniste, qeveria e pakicës Babis kontrollon 108 vota në parlamentin me 200 anëtarë. Për të miratuar një mocion mosbesimi, opozita ka nevojë për 101 vota. Kryetari i dhomës së ulët mund të thërrasë një votim sapo të marrë një kërkesë zyrtare. Asnjë datë nuk është propozuar ende, bën me dije Reuters.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.