Opozita shpall republikën e re – Basha: Fund komplotit ekonomik, do injektojmë 1 mld euro
Pas 85 ditëve protestë në çadrën e lirisë, opozita shpall Republikën e Re. Kreu i PD, Lulzim Basha, në protestën e 13 majit ka falenderuar mbështetësit nga i gjithë vendi për qëndresën, teksa u zotua se opozita nuk lëkundet nga kërkesa e saj.
“Ne jemi mbledhur së bashku sot për një vendim të madh, të vetmin vendim që e çon Shqipërinë në Europë, që rikthehen fatet tuaja në duart tuaja, vendimin për t’i thënë njëherë e përgjithmonë lamtumirë republikës së vjetër. Ne jemi këtu që përmes republikës së re t’u kthejmë shqiptarëve atë që është e shqiptarëve. Ju kërkoj vetëm qëndresë, vetëm bashkim dhe Zoti do na bekojë me fitore”, tha Basha.
Sipas Bashës Republika e re do t’i japë fund komplotit ekonomik dhe politik duke injektuar në ekonominë shqiptare 1 miliard euro.
Basha premtoi taksa të ulëta, taksën e sheshtë 9%, rritje të pensioneve, tarifa më të ulëta për studentët si edhe subvencione për fermerët 100 milion euro.
“Republika e Re do të jetë republika e taksave të ulëta, e taksës së sheshtë, duke i dhënë fund taksave të larta, vjedhjes më të madhe qeveritare në këto 27 vite. Me 9% taksën e sheshtë, ne do t’i japim frymëmarrje sipërmarrjes shqiptare, do të injektojmë 1 miliardë euro në ekonominë kombëtare, do të ndezim motorët e saj, do të çlirojmë energjinë pozitive që do krijojë mijëra vende pune e do të përmirësojë jetën e shqiptarëve, e do të rrisë rrogat dhe fuqinë blerëse të tyre. Së bashku me elitën e mendjes dhe të shpirtit shqiptar, Republika e Re do të kthejë mbi 40 mijë familje të hequra padrejtësisht nga ndihma ekonomike”, u shpreh Basha.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu demokrat paralajmëroi një marshim të tretë. Protesta paqësore e opozitës zgjati 1 orë e 30 minuta, ndërkohë që rreth 2500 forca policie ishin në gatishmëri gjatë zhvillimit të saj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.