Optimizëm për Bankën e Japonisë – Konsumatorët “nxjerrin” portofolin, inflacioni rritet, papunësia bie
Rritja e konsumit, inflacionit dhe punësimit gjatë muajit Nëntor, kanë dhënë optimizëm te zyrtarët e Bankës së Japonisë, për arritjen e objektivave. Megjithatë, rritja e çmimeve erdhi kryesisht prej rritjes së kostos së karburanteve, që pritet të ngadalësohet për 2018-ën. Kjo pritet ta mbajë Bankën e Japonisë nën presion për të vazhduar stimujt monetar, pavarësisht se bankat e tjera qendrore do të përfundojnë politikat që janë projektuar për periudha të krizave.
Dokumenti i takimit të fundit të politikave monetare të Bankës së Japonisë, tregoi se politikëbërësit kishin rënë dakord për të mos ndryshuar lehtësimin monetar. Sipas analistëve, inflacioni mund të tregojë rritje në nisin e vitit të ardhshëm fiskal, ndërkohë që fuqizimi i tregut të punës pritet të nxisë rritjen e pagave nga kompanitë. Konsumatorët kanë rritur shpenzimet e tyre gjatë muajit Nëntor, duke thyer pritshmëritë e analistëve. Kjo erdhi për shkak të rritjes së qëndrueshme të të ardhurave në dispozicion, me 1.8% për Nëntorin me bazë vjetore.
Rritja e vlerave në tregun e aksioneve po përmirëson gjithashtu fuqinë blerëse të konsumatorëve. Indeksi bazë i çmimeve të konsumit në Japoni, që përfshin çmimet e naftës por përjashton çmimet e luhatura të ushqimeve, u rrit me 0.9% në Nëntor, duke treguar muajin e 11 radhazi të rritjes. Kryeministri Shinzo Abe i ka bërë thirrje kompanive për të rritur pagat me më shumë se 3% gjatë vitit të kaluar, duke vënë nën presion firmat që të shpenzojnë paratë e grumbulluara për të zgjeruar efektet e politikave stimuluese.
Të dhëna të tjera këtë javë treguan se norma e papunësisë në ekonominë e tretë më të madhe të botës arriti nivelin më të ulët në 24 vite prej 2.7%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.