Optimizëm për Holandën, ekonomia hyn në një cikël pozitiv rritje

Byroja holandeze për politikat ekonomike deklaroi se ekonomia e vendit ka hyrë në një rrugë rritjeje të qëndrueshme dhe të moderuar, duke marrë shtysë nga trendet pozitive, kryesisht sa i përket tregtisë dhe investimeve.
Por edhe papunësia në rënie, si dhe rritja e besimit konsumator po i japin një shtysë trajektores së re të ekonomisë së vendit. Agjencia projekton një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit me 2.1% përgjatë vitit aktual.
Ky projeksion është i pandryshuar në krahasim me atë të muajit Dhjetor. Për vitin e ardhshëm projektohet një rritje ekonomike pranë 1.8%.
“Eksportet po vazhdojnë të performojnë mirë, ndërkohë që kompanitë i janë rikthyer investimeve”-nënvizon agjencia. “Konsumi, investimet familjare dhe shpenzimet qeveritare nga ana tjetër po japin gjithashtu një kontribut në normat e rritjes ekonomike”, vijon më tej qeveria holandeze.
Me papunësinë që projektohet të bjerë në 4.7% gjatë 2018-ës dhe me suficite buxhetore gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm, borxhi publik i vendit pritet bjerë në 55.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e ardhshëm. Niveli i 60% është kërkesë kyçe e Bashkimit Europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.