Ora policore rishikohet pas 2 javësh – Masat anticovid/ Urdhri i Manastirliut: Kufizimi 23:00-6:00, në fuqi deri në datën 14 shtator
Kufizimi i lëvizjes nga ora 23:00 deri në orën 6:00 do të jetë në fuqi deri në datën 14 shtator. Ndërkohë që, pas kësaj date Komiteti Teknik i Ekspertëve do të duhet të vendosë, nëse kjo orë do të zgjatet më shumë apo do të qëndrojë e pandryshuar. Kjo, në bazë të urdhrit të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manstirliu, që hyri në fuqi në datën 1 shtator e që parashikoi zgjatjen me një orë, të kufizimit të lëvizjes për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve nga COVID-19.
Kjo ishte një prej masave të komunikuara pak ditë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ndërkohë që për të gjitha masat e tjera kufizuese, të njoftuara gjatë mbledhjes së para disa ditëve, nuk ka ende publik asnjë document zyrtar. Këtu përshihet vaksinimi i detyrueshëm për stafet shëndetësore, mësuesit dhe studentët, që sipas rekomandimeve të Komitetit të Vaksinimit do të duhet të vaksinohen për COVID-19 brenda datës 30 shtator, ndërkohë që në rast të kundërt do të duhet të paraqesin testin PCR në mënyrë periodike. Gjithashtu, është njoftuar se nga data 6 shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga tre kushtet.
Më konkretisht, ata duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Po ashtu, qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetë izolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.