Orban sfidon Europën: Hungaria kundërshton vendimin e gjykatës së BE-së për politikën e azilit!
Hungaria nuk do të ndryshojë politikat e saj të imigracionit pavarësisht vendimit të fundit nga gjykata e lartë e Bashkimit Europian e cila i gjeti ato në kundërshtim me ligjet e bllokut, njoftoi kryeministri i vendit Viktor Orban.
Njoftimi i Orban erdhi pasi qeveria anti-emigruese e Hungarisë është e bllokuar në një mosmarrëveshje me BE-në mbi juridiksionin e bllokut mbi çështjet e 27 anëtarëve të saj, veçanërisht në lidhje me politikat e qeverisë së tij për emigracionin dhe çështjet LGBT.
Një vendim i Gjykatës Euopiane të Drejtësisë vitin e kaluar zbuloi se Hungaria kishte dështuar të respektonte ligjin e BE-së duke kryer shtyrje kundër njerëzve që hynin në vend pa autorizim, duke u mohuar atyre të drejtën për të aplikuar për azil dhe duke i ndaluar ata në “zonat tranzite” përgjatë kufirit jugor të Hungarisë me Serbinë.
Por gjatë një konference të rrallë shtypi në Budapest, populisti i krahut të djathtë Orban këmbënguli se Hungaria do të vazhdojë politikat e saj të emigracionit dhe se “nuk ka rëndësi se çfarë vendosi gjykata europiane sepse sidoqoftë Hungaria duhet të vazhdojë të mbrojë kufijtë e saj”.
Refuzimi për të respektuar vendimin e gjykatës europiane mund të rezultojë në gjoba të rënda që do t’i vendosen Hungarisë nga BE. Në shtator, gjykata më e lartë e bllokut filloi të lëshojë gjoba ditore prej 1 milion euro për Poloninë, një aleate kyçe e Hungarisë, pasi ajo nuk arriti të pajtohej me një vendim gjykate për pezullimin e ndryshimeve në sistemin e saj gjyqësor.
Gjoba të tilla të mundshme nga BE-ja do të ishin të radhës në një seri gjobash financiare që tashmë e kanë parë Hungarinë të humbasë miliarda fonde nga blloku.
Ekzekutivi i BE-së, Komisioni Europian, ka mbajtur rreth disa miliardë euro në fondet e rimëkëmbjes së COVID-19 të destinuara për Hungarinë për shkak të asaj që i sheh si masa të papërshtatshme kundër korrupsionit në planin e shpenzimeve të vendit.
Qeveria e Hungarisë këtë muaj vendosi të ndalojë investimet për të frenuar deficitet buxhetore që dalin nga inflacioni rekord dhe shpenzimet kryesore shtetërore në formën e shkurtimeve të taksave dhe përfitimeve sociale për pensionistët dhe familjet me fëmijë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.