Orendi për shkollat e kopshtet – Shpallet fituesi i tenderit, Bashkia e Tiranës jep 81.5 milionë lekë
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka akorduar një fond prej 83 milion lekësh për pajisjen me orendi të shkollave, kopshteve, çerdheve dhe qendrave komunitare.
Tashmë ky institucion ka realizuar procedurat tenderuese, ndërsa është shpallur edhe operatori ekonomik fitues, që do të kryejë zbatimin e kontratës. Kompania ‘Erzeni’ u shpall fituese me një ofertë prej rreth 81.5 milion lekësh, duke lënë pas një tjetër operator ekonomik, që paraqiti një ofertë më të lartë. Garuesi i tretë për fitimin e këtij tenderi u s’kualifikua për shkak të mangësive në dokumentacion.
Referuar njoftimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania fituese duhet të paraqitet pranë Bashkisë së Tiranës për sigurimin e ofertës, brenda datës 5 tetor, pasi në rast të kundërt kontratat do t’i akordohet ofertuesit që është renditur i dyti në klasifikimin përfundimtar.
Ndërkaq, gjatë një takimi të zhvilluar me drejtorët e shkollave në kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se këtë vit shkollor nxënësit e Tiranës do të mësojnë në institucione më cilësore nga ana infrastrukturore, falë investimeve të bëra nga bashkia.
Por, sipas tij disa shkolla kanë nevojë për sisteme ngrohjeje e për pasojë ftoi bizneset, të kontribuojnë në përmirësimin e tyre. Gjithashtu, kryebashkiaku nënvizoi nevojën e zhvillimit të një forumi ekonomik, për këtë çështje.
Shkollat do të hapin dyert në datën 11 shtator, ndërkohë që këtë vit në Tiranë janë shtuar edhe 3 shkolla të reja, që pritet të sjellin ulje të ngarkesës në klasa në zonat ku ato janë vendosur.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.