Organizonin lojëra të kundërligjshme – Policia arreston në flagrancë 5 shtetas
Policia e shtetit njofton se Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Kukës, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë policore se në një lokal në qytetin e Kukësit konsumohej lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra të palejuara, kanë organizuar punën dhe si rezulatat është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. V., 25 vjeç, Q. A., 28 vjeç, B. P., 29 vjeç, V. Sh., 32 vjeç dhe A. SH., 38 vjeç, banues në Kukës.
Sipas njoftimit arrestimi i tyre u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në qytetin e Kukësit, gjatë orarit të karantinës, në lokalin në përdorim nga shtetasi P. V., ndodheshin edhe 4 shtetasit e tjerë, të cilët në momentin kur kanë hyrë punonjësit e Policisë, kanë hedhur në dysheme, 3 doza me lëndë të dyshuar narkotike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale ndërsa shtetasi P. V. ushtronte aktivitet tregtar të palicencuar në lokalin e tij që e kishte përshtatur edhe si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një valixhe me fisha të ndryshme, letra bixhozi dhe një tavolinë që shërben për të luajtur bixhoz.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.