OSBE/ODIHR, kritika për financimin e partive – “Nuk ka transparencë, të ardhurat dhe shpenzimet duhen bërë publike para zgjedhjeve”
Raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit në vendin tonë përfshin aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, që nga fushata elektorale, procesi i votimit dhe të gjitha proceset e tjera pas zgjedhore. Një ndër aspektet e marra në analizë nga raporti final është edhe ai i financave të fushatës elektorale për partitë garuese.
Organi më i lartë monitorues i proceseve zgjedhore nëpër botë, nuk i kursen kritikat në këtë pikë, duke vendosur theksin te transparenca financiare e partive, sidomos sa i përket financimeve dhe donacioneve të fushatës. Raporti nënvizon faktin se, me ligj partitë garuese nuk janë të detyruara të paraqesin një raport paraprak mbi të ardhurat dhe shpenzimet, duke i privuar kështu votuesit të zgjedhin alternativën e tyre, bazuar edhe në këtë aspekt mjaft të rëndësishëm, siç është financimi i fushatës elektorale nga persona fizik apo juridik.
Ligji shqiptar i detyron partitë të dorëzojnë një raport të tillë brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. OSBE/ODIHR sqaron se, diçka e tillë kufizon transparencën, dhe këshillon: “Në mënyrë që të përmirësohet përgjegjshmëria e partive politike dhe transperenca e përgjithshme e procesit elektoral, duhet marrë parasysh fakti se, i duhet kërkuar garuesve që të shpallin publikisht të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës elektorale, para ditës së zgjedhjeve”.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.