OSBE, trajnime me të rinjtë – Veliaj: Gjenerata e re, drejt një Ballkani europian

Tirana do të mirëpresë deri më 13 gusht, 40 të rinj nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor, të cilët dëshirojnë që të marrin pjesë në trajnimin për Promovimin e Vlerave të OSBE-së në Ballkanin Perëndimor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi këtë nismë të ndërmarrë në bashkëpunim me OSBE-në si një mundësi fantastike për edukimin e një gjenerate të re në Ballkan me ambicien drejt BE.
“Në Shtator duam që 40 të rinjtë që do të vijnë nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnja të kenë mundësi të zbulojnë Tiranën, Shqipërinë, të kenë mundësi të organizojnë debate mes njëri-tjetrit, si një mënyrë për të kuptuar se si një gjeneratë e re e të rinjve dhe aktivistëve në Ballkan mund të çojë përpara ambicien tonë për një rajon që është evropian përpara se të regjistrohet zyrtarisht në Europë, që të fillojë edhe të sillet pak më evropian brenda vetes”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se të rinjtë kanë aftësinë që të luftojnë stereotipet e së shkuarës të jenë mendjehapur për të punuar për të ardhmen.
“A ka shpresë te një gjeneratë që i ka krijuar stereotipet? Te një gjeneratë që tashmë e ka ndarë mendjen çfarë mendon për botën dhe nuk hapet ndaj gjërave të reja? Të rinjtë janë më mendjehapur, nuk kanë fije të lidhura me të kaluarën, nuk kanë një axhendë me interes apo me prejardhje për çdo gjë dhe unë e shoh se si edhe në Shqipëri kjo situatë ka ndryshuar. Shumica e të rinjve janë mendjehapur dhe marrin vendimet në bazë të përvojave të tyre personale. Po kështu edhe në Kosovë, Bosnje, në Mal të Zi. Sepse ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë, sidomos te kjo grupmoshë”, tha Veliaj.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, i pranishëm në takim, u shpreh se të rinjtë do të kenë mundësi që të diskutojnë për çështjen e trafikimit, korrupsionit dhe të ekstremizmit fetar.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.