OSHEE arkëtoi 59.52 miliardë lekë në 2021 – 10% më shumë se 1 vit më parë, tejkalohet me 3 miliardë lekë nevoja për të ardhura!

Pavarësisht rritjes së kostos së blerjes së energjisë për qëllime të furnizimit të klientëve fundorë, gjatë vitit 2021 Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e OSHEE Group shënoi edhe një rritje e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike”. Konstatimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë, në raportin vjetor, që është siguruar nga TV SCAN. Sipas dokumentit, gjatë vitit të kaluar FSHU arkëtoi 59.52 mld lekë apo rreth 492 mln euro.
Në raport me vitin 2020, arëktimet janë rritur me 10%, duke sjellë një rritje të ardhurash prej rreth 45.5 mln euro për kompaninë publike të furnizimit. Sipas ERE-s, rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike erdhi si rrjedhojë e rritjes së konsumit nga klientët jo familjarë me rreth 17% dhe rritjes të konsumit nga klientët familjarë me 4%. Ndërkaq, këto të ardhura tejkalojnë me mbi 3 mld lekë nivelin e të ardhurave të kërkuara nga Furnizuesi i Shërbimit Universal për vitin 2021, që sipas vetë kompanisë ishin 56,19 mld lekë. Kjo, sipas aplikimit të dorëzuar nga FSHU pranë Entit Rregullator të Energjisë për çmimin e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për vitin 2021.
Në këtë aplikim, FSHU kërkoi që çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë të mbetet i pandryshuar, duke mos aplikuar asnjë rritje. Këto shifra vijnë në një kohë që qeveria shqiptare ka paralajmëruar një rritje të çmimeve të energjisë elektrike për një kategori konsumatorësh familjarë, që konsideohen si të pasur, por pa dhënë detaje sesi do të mund të aplikohet kjo skemë. Gjithsesi vendimi për tarifat e energjisë merret nga Enti Rregullator i Energjisë, teksa ekspertët e sektorit kanë argumentuar se nuk ekziston asnjë tregues që të justifikojë një rritje çmimi për këtë kategori konsumatorësh.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.