OSHEE blen 22 mijë sahate elektronikë – Kërkohet sistem i ri faturimi me matje periodike mujore
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka finalizuar blerjen e rreth 22 mijë matësave të rinj elektronikë. Oferta fituese është shpallur ajo e shoqërisë “Ital-Projekt” prej 191.4 milionë lekësh, pas skualifikimit të tre operatorëve të tjerë ekonomikë në garë. Kjo ishte edhe oferta më e lartë në garë, nga një fond limit në dispozicion prej rreth 200 milionë lekësh.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë, gjatë analizës së veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë, ka kërkuar përmes një rezolute nxitjen e OSHEE për vënien sa më shpejt në punë të një sistemi të ri të faturimit. Sipas deputetëve, ky sistem do të lehtësojë në mënyrë të ndjeshme matjen e energjisë, duke krijuar edhe mundësinë e matjeve periodike disa mujore.
Matësit e rinj të sapoblerë nga OSHEE ofrojnë opsionin e leximit të sahatit nga ofruesi i shërbimit, pa pasur nevojë të dërgojnë një faturist në terren. Kjo bëhet përmes lidhjes me portën e rrjetit dhe të dhënat nga çdo matës dërgohen automatikisht çdo 15 minuta.
Kjo mund të jetë një prej mënyrave për leximin e sahateve që kërkon Kuvendi në sistemin e ri. Ndërkohë, deri në pajisjen e të gjithë abonentëve familjarë apo privatë me këta lloj matësish, mund të zbatohet leximi i sahatit një herë në 3 muaj. Fatura për dy muajt e parë mund të bazohet mbi mesataret e konsumit të atyre muajve gjatë viteve të mëparshëm, ndërsa në muajin e tretë do të zbritet apo shtohet detyrimi i konsumatorit mbi energjinë e konsumuar.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.