OSHEE kontroll blic në disa zona të Tiranës – Shoqërohen në polici 13 abonentë
Njësia operacionale Task Forcë e OSHEE Tirana ka zhvilluar disa kontrolle blic në disa zona të kryeqytetit gjatë dy ditëve të fundit, konkretisht në Laprakë, rrugën “Myslym Keta”, Shkozë pranë shkollës “ Androkli Kostallari”, në Kombinatit dhe Kamëz.
Nga kontrollet e ushtruara, janë proceduar penalisht 9 abonentë me akuzën e vjedhjes së energjisë, ku njëri prej tyre është shpallur në kërkim, ndërsa 4 të tjerë janë shoqëruar në komisariat për moskallëzim krimi.
Nga të dhënat e OSHEE, në zonën e Laprakës janë shoqëruar në polici tre familjarë dhe një subjekt privat, për shkak se konsumonin energji pa patur kontratë me OSHEE. Ndërkohë, 3 abonentë të cilët vidhnin energjinë u kapën në flagrancë në rrugën “Myslym Keta”.
Nga kontrolli i ushtruar në zonën e ish-Uzina Traktori, pranë shkollës “Andokli Kostallari”u zbuluan dy raste të furnizimit me energji elektrike jashtë sistemit të matjes. Ndërkohë, një tjetër abonent në zonën e Kombinatit është konstatuar nga grupet operative të OSHEE Tiranë se vidhte energji.
Ndërsa në zonën e Kamzës, një abonent konsumonte energji pa patur kontratë me OSHEE-në. Ai është shpallur në kërkim pasi është larguar menjëherë pasi ka mësuar për prezencën e policisë. Organet kompetente kanë nisur hetimet për të gjitha rastet e përmendura më lart.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.