OSHEE shtyn afatin për përditësimin e të dhënave – Arsyeja, radhët e gjata në sportele

Abonentët e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që duhet të plotësojnë apo ndryshojnë të dhënat, tashmë kanë më tepër kohë për të bërë përditësimet e nevojshme.
Afati i caktuar më 31 Janar ka sjellë radhë të gjata në sportele, ku me mijëra klientë po saktësojnë të dhënat. Në këto kushte OSHEE vendosi vijimin e procesit të përditësimit të të dhënave deri në Mars 2018.
Paralelisht me shtyrjen e afatit, do të shtohen pikat e shërbimit, për t’i dhënë mundësi gjithë klientëve t’i përgjigjen detyrimit kontraktual për saktësimin e të dhënave.
Ky proces është i detyrueshëm për ata abonentë të cilëve u rezulton e papërditësuar kontrata e furnizimit me energji elektrike në faqen zyrtare të OSHEE (kliko këtu), për klientët që nuk iu është vendosur një ngjitëse në banesën e tyre, si dhe për klientët që gjatë procesit të intervistave nuk janë gjetur në banesë apo kanë refuzuar të kryejnë përditësimin.
Individët që nuk kryejnë këtë proces rrezikojnë ndërprerjen e energjië elektrike, për të cilën OSHEE shprehet se nuk është qëllimi në vetvete, por rëndësia e përditësimit të të dhënave.
Procesi i përditësimit të të dhënave ka nisur në shtator të 2015-ës, pasi u konstatuan pasaktësi të dhënash për një pjesë të madhe të abonentëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.