OSHEE uli investimet – Në 2018-ën u investuan 2 mld lekë më pak se parashikimet
Gjatë vitit 2018 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ngadalësoi programin e investimeve në rrjet, për shkak të mungesës së likuiditetit të krijuara nga thatësira e tej zgjatur në vitin 2017.
Sipas të dhënave zyrtare nga OSHEE, në vitin e kaluar u investuan 2 mld lekë më pak nga sa ishte parashikimi në Programin Financiar të miratuar. Në total shuma e investimeve për vitin 2018 arriti në 7.3 mld lekë apo 4.4 mld lekë më pak, në krahasim me një vit më parë. Sipas zërave, gjatë vitit të kaluar u investua në 150 km linja kabllore dhe 76 km linja ajrore të tensionit të mesëm si dhe 330 km të tensionit të ulët. Gjithashtu, u rikonstruktuan 253 kabina dhe u ndërtuan 149 kabina të reja.
Megjithatë, në raport me një vit më parë të gjithë zërat e investimeve kanë pësuar një rënie të ndjeshme, që shpjegohet edhe me vlerën më të ulët të investuar. Ndërkohë, për vitin 2019 plani I investimeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arritën 8.5 mld lekë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.