OSSH ska krizë për investimet – DOKUMENTI/ Plani për 2022-in, 10.59 miliardë lekë. Kompania: Një nga më të lartët

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hartuar një plan ambicioz investimesh për vitin 2022, pavarësisht krizës dhe gjendjes së emergjencës së shpallur nga qeveria shqiptare. Sipas dokumentit të paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë, investimet në sistemin e shpërndarjes për vitin që vjen parashikohen të arrijnë në 10.59 mld lekë, ndërkohë që OSSH pohon se kjo vlerë është një nga më të lartat, duke plotësuar vlerat e mbetura të investimeve sipas planit 5-vjeçar të aprovuar 2018-2022.
Pjesa më e madhe e tyre, me një vlerë prej 4.86 mld lekë parashikohet të shkojnë për ndërtim apo rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe të ulët, ndërsa 1.44 mld lekë do të shkojë në ndërtim apo rikonstruksion elektrik për nënstacionet. Gjithashtu, për investimet prioritare në rrjetin e tensionit të ulët me kabëll ABC, janë parashikuar 1.13 mld lekë, ndërsa për blerje pajisje e makineri për nënstacione dhe likujdim avarish, 1 mld lekë.
Investimet kanë për qëllim uljen e humbjeve teksinike dhe joteknike në të gjithë rrejtin e shpërndarjes së energjisë eletkrike, fuqizimin e kapaciteteve të furnizimit, duke parë si prioritet zonat më problematike të vendit si dhe rritjen e koefiçientëve të shfrytëzimit, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit. Ndërkohë që, sa i takon vitit 2021, sipas OSSH-së vlera e investimeve në rrjet pritet të jetë më e madhja që ka patur ndonjëherë në rrjetin e shpërndarjes prej rreth 14.3 mld lekë, të cilat financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe nga kreditë e marra nga bankat.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.