OST plotësisht nën MZHETTS – ERE bën certifikimin final, ja detyrat për 12 muaj

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kaluar tashëm plotësisht nën varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Deri më tani ky operator ishte në fazë tranzicioni dhe varej nga dy ministri ajo e Energjisë nën të cilën ka qenë tradicionalisht dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik sipas modelit që imponon ligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Enti Rregullator i Energjisë bën me dije se certifikimi final i hap rrugë Operatorit për të hyrë në funksionet e tij të plota sipas përcaktimeve që bëhen në modelin e ri të tregut.
Për këtë i është lënë një afat prej 12 muajsh që OST të ndjekë edhe hapat e nevojshëm që vulosin rolin e tij në treg.
Së pari duhet të emërohet një zyrtar i pajtueshmërisë. Ky i fundit do të ketë detyrën e hartimit të raporteve vjetore ku do të konkludohet mbi pavarësinë e institucionit për të vepruar pa pasur ndikime nga Ministria e Energjisë nën të cilën janë KESH dhe OSHEE.
Po kështu çdo plan për internjektorë të rinj duhet të propozohet tani nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik edhe pse në fakt këta të fundit janë plotësuar tashmë ku i fundit ishte me Maqedoninë.
Po kështu lidhur me planin e zhvillimit të rrjetit të Transmetimit do të jetë sërish ministria e Zhvillimit Ekonomik ajo që do të japë opinion për legjilacionin primar ose sekondar në ERE.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.