Oxfordi “zhvlerëson” TAP – Europës nuk do t`i nevojitet deri në 2030-ën, i dobishëm për Shqipërinë

Gazsjellësi Trans-Adriatik, pjesë e korridorit jugor të gazit, nuk do t`i hyjë dot në punë Europës përpara vitit 2030, thotë një studim i publikuar së fundmi nga Instituti i Oxfordit për studime energjetike.
“Gjatë viteve të ardhshme, importet në Europë me shumë gjasa do të vijojnë të dominohen nga gazi rus, me konkurrencën në rritje nga Shtetet e Bashkuara për gazin natyror”, thuhet në këtë studim.
Gazi që do të transportohet në Europë nëpërmjet gazsjellësit Transadriatik dhe Shqipërisë do të jetë më pak i konkurrueshëm për shkak të çmimeve mjaft të lira me të cilat gazi natyror shitet në kontinentin e vjetër thuhet më tej në këtë studim.
Oxford arrin në përfundimin se, deri në 2030-ën, korridori jugor i gazit do të mbulojë vetëm 2% të kërkesës së Europës për gazin e lëngshëm, por se nga ana tjetër do të jetë i një rëndësie të veçantë për Europën jug-lindore dhe Turqinë.
Pas 2030-ës, situata projektohet tërësisht e ndryshme për shkak të kapacitetit më të madh të transportit por edhe për shkak të tensioneve gjeopolitike. Studimi i jep gjithashtu një vëmendje të veçantë dyshimeve që ka ngritur qeveria italiane në lidhje me projektin TAP. Qeveria e re ka deklaruar se ky projekt do të rivlerësohet dhe se është i padobishëm për vendin.
Siç dihet, TAP është një ndër projektet më të mëdha në vendin tonë, jo vetëm për nga sasia e kapitalit të huaj të injektuar në vend, por edhe për shkak se pritet të “shpëtojë” disi vendin nga varësia hidrike si dhe të rrisë pozitat gjeopolitike të Shqipërisë në rajon. Nga ana tjetër, Brukseli e ka konsideruar “TAP” si një projekt të rëndësisë së veçantë, e po ashtu edhe Washingtoni.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.