Paga minimale në 24 mijë lekë – Qeveria gati vendim për ndryshimin e pagës, kur pritet publikimi

Qeveria duket se ka gjetur konsensusin me grupet e interesit, përfshirë edhe FMN-në për rritjen e pagës minimale.
Burime nga Ministria e Financave thonë se paga minimale do të rritet me 2 mijë lekë, duke shkuar nga 22 mijë lekë që është sot, në 24 mijë lekë. Nisma e ekzekutivit pritet të publikohet në fillim të muajit maj.
Për rritjen e pagës minimale Këshilli Kombëtar i Punësi pati debate në fund të muajit Shkurt, por pa dalë në asnjë vendim konkret.
Nga ana e tyre bizneset duket se gjetën gjuhën e përbashkët, duke pranuar rritjen e pagës minimale për shumicën e sektorëve, ndërsa Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, kundërshtoi propozimet e biznesit, të cilat sipas tyre nuk kishin logjikë ekonomike.
Në atë periudhë Këshilli Kombëtar i Punës nuk mori asnjë vendim, pasi Ministria e Financave pritej të konsultohej me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe grupet e interesit.
Por tashmë këto faza duket se kanë kaluar dhe qeveria ka gati propozimin për rritjen e pagës minimale.
Ndryshimi i nivelit të pagës minimale prek rreth 200 mijë punonjës, kryesisht në industritë e prodhimit, përpunimit, turizëm, etj. Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.