Pagat e mësuesve, MASR: Nuk ka ulje për ata me pedagogjike
Të gjithë mësuesit, të cilët kanë përfunduar studimet në institutet pedagogjike 3 vjeçare përpara viteve 90, nuk do të kenë ulje të pagës.
Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit përmes një njoftimi për mediat sqaron pretendimet mbi pagën e mësuesve të kësaj kategorie, nisur nga reagimet e ditëve të fundit.
Në njoftimin e MASR thuhet se, nuk do të ketë asnjë ulje të pagës për mësuesit që bëjnë pjesë në këtë kategori dhe që janë aktualisht në sistem, pasi kjo kategori mësuesish mbrohet nga një VKM e Prillit të 2017-ës, e cila qartëson se mësuesve që zotërojnë diplomë universitare ‘Bachelor’ ose të barasvlershme me të, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit.
Ministria e Arsimit siguron mësuesit se do të jetë krah tyre për të gjitha shqetësimet që ata kanë, teksa u bën apel që të mos manipulohen dhe keqpërdoren nga askush.
Në mars të 2017-ës qeveria shpalli vendimin nr.175 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve arsimore në arsimin parauniversitar”.
Këta tregues u përllogariten mbi pagën bazë, e cila u rikategorizua bazuar në llojin e diplomës, paga bazë prej 14 mijë lekësh, për ata që kishin një diplomë të ciklit të dytë, ndërsa ato me bachelor një pagë prej 11 mijë lekësh.
Më 19 Prill qeveria shpalli një VKM të dytë që kategorizonte vetëm mësuesit me një diplomë të ciklit të parë. Kjo VKM bëri që nga rritja e pagave të përfitonin vetëm 1/5 e mësuesve ne arsimin pubik parauniversitar.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.