Pagat e mjekëve dhe infermierëve – Manastirliu konfirmon se do të rriten edhe gjatë 2018-ës

Në ditën e gruas, 8 Marsin, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka konfirmuar se qeveria do të angazhohet sërish për rritjen e rrogave të personelit shëndetësor. Deklarata është bërë gjatë një aktiviteti të organizuar nga kjo ministri për mirënjohjen e punës së grave në transformimin e vendit.
“Ne do të vijojmë të përmirësojmë kushtet e punës në qendrat tona shëndetësore, në spitalet tona, që ju ta zhvilloni më mirë profesionin tuaj. Do të vijojmë me politikën e rritjes së pagave edhe në vitin 2018 për personelin mjekë dhe infermierë.
Angazhimi ynë është i përditshëm në këtë drejtim, edhe për një arsye tjetër: Ju jeni shembuj frymëzimi jo vetëm sepse keni lartësuar pozitat e grave në shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha, sepse çdo ditë shpëtoni jetë. Dhe ky është më i larti i misioneve”, u shpreh Manastirliu.
Rritja e lajmëruar pason atë të Marsit të kaluar, ku disa kategori mjekësh përfituan një shtesë page, ndërsa u rrit edhe masa e shpërblimit për mjekët roje. Një nga arsyet kryesore për shtimin e pagave në sektorin e shëndetësisë janë largimet në masë të mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, çka ka krijuar mungesa në disa spitale rajonale dhe bashkiake.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.