Pagat e policëve – Sindikata: Ligji i ri i ul deri në 15%
Rreth 2500 punonjësve të policisë së shtetit u janë ulur pagat nga 7%-15% me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Kategoritë më të prekura janë ato që mbajnë gradën inspektor.
Sipas kreut të sindikatës për punonjësit e policisë së shtetit Sadedin Fishta, janë forcat e shërbimeve speciale, ato të posaçme dhe shqiponjat të cilave u është prekur shtesa në pagë. Shtesa në pagat e tyre nga 20 mijë lekë për natyrë të veçantë, sipas Fishtës, është bërë 15 mijë lekë.
“Përpara këtij vendimi ekziston edhe një vendim tjetër qeverie ku janë përcaktuar pagesat për natyrë të veçantë pune. Nëse do ta krahasojmë me këtë vendim, ka luhatje, disa punonjës policie preken nga vendimi që ka dalë kohët e fundit. Preken do të thotë që ulen në pagë, drejtpërdrejt. Ulet kjo pagesë për punonjësit e RES-it, për repartin Shqiponja, për forcat e posaçme dhe ulja varion nga 9500 lekë deri në 4500 lekë”, tha Fishta.
Më tej Fishta theksoi se një tjetër problem mbetet edhe paga e llogaritur sipas vjetërsisë në punë ku me këtë ligj vitet para 1992 nuk merren parasysh.
“Pagesa për vjetërsi në punë, është përcaktuar edhe në ligjin për policinë e shtetit, i takon çdo punonjësi policie, që kur ka filluar karrierën e tij policore. Ç’ndodh me zbatimin e vendimit? Punonjësit e policisë paguhen nga viti 1992, kur ka nisur aplikimi i gradave dhe vitet e tjera nuk u merren parasysh për vjetërsi. Kjo do të thotë se policia e shtetit ka filluar në vitin ’92, s’ka ekzistuar më përpara… Janë një numër i madh punonjësish që karrierën e kanë filluar përpara ’90-shit”, u shpreh ai.
Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë së shtetit siguroi se do ta çoj çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.