Pagesa e faturave dhe taksave nga celulari – Posta Shqiptare përgatit aplikacionin E-Posta
Posta Shqiptarë do të lançojë së shpejti për përdoruesit, aplikacionin E-Posta, i cili do të mundësojë kryerjen e një pjese të madhe të shërbimeve që ofrohen në sportelet e institucionit.
Shoqëria ka hapur ditën e mërkurë procedurat për zhvillimin e këtij aplikacioni, me një fond limit prej 25 milionë lekësh.
Platforma dixhitale do të lejojë kryerjen përmes kompjuterit, smartphone-it dhe tablet regjistrimin e profilit të klientit dhe lidhjen e tij me kontratat e energjisë, ujit, pagesat e gjobave, të taksave bashkiake, etj.
Aplikacioni do të lejojë përdoruesit të paguajnë të gjithë faturat që ofrohen si shërbime nga Posta Shqiptare. Kjo pritet të rrisë më tej të ardhurat për shoqërinë në segmentin e shërbimit financiar dhe bankar, i cili zë mbi 41% të të ardhurave.
Përdoruesit do të mund të njoftohen nga aplikacioni edhe për gjurmimin e objekteve postare dhe ecurinë e tyre deri në momentin final të dorëzimit. Sipas dokumenteve të zbardhura nga SCAN, pritet që përmes platformës të bëhen edhe transferta parash.
Pas zgjedhjes së kompanisë fituese të tenderit, zhvillimi i aplikacionit do të kryhet brenda 12 muajsh, çka do të thotë se me shumë gjasa shërbimi do të publikohet për përdoruesit e Android dhe iOS brenda vitit të ardhshëm.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.