Pagesat për prodhuesit e energjisë/ Enti Rregullator vendos çmimin, qeveria do i paguajë 7.448 lekë/kwh

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur çmimin me të cilin qeveria do të blejë energjinë e prodhuar nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike.
Sipas vendimit të ERE-s,çdo kwh i prodhuar do të blihet me 7.448 lekë, ndërkohë që ky çmim nuk ka pësuar ndryshim në raport me vendimet e fundit, të miratuar në qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar.
Megjithatë, në vendimin e fundit saktësohet se ky çmim do të jetë në fuqi deri në publikimin e raportit vjetor të Bursës Hungareze të Energjisë (HUPX), si dhe publikimet e Bankës së Shqipërisë për kursin e këmbimit Lekë/EURO, që janë pjesë e formulës së përllogaritjes së çmimit. Pavarësisht se çmimi për këtë vit nuk ka pësuar ndryshim, vitin që shkoi ai pësoi në ulje me 0.6 lekë/kwh.
Kjo pasi qeveria vendosi ndryshimin e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.3 në 1.2, një koeficient që është pjesë e metodologjisë mbi bazën e së cilës përllogaritet çmimi vjetor me të cilin hidrocentralet deri në 15 MW shesin energjinë elektrike. Vendimi i ERE-s është marrë në zbatim të këtij vendimi, që gjithsesi është kundërshtuar nga prodhuesit e energjisë elektrike.
Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, që përfaqëson mbajtësit e kontratave koncesionare ky ndryshim është një goditje për investimet e kryera në këtë sektor, ndërkohë që paralelisht cenohet edhe siguria juridike e kontratave koncesionare.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.