Pak lehtësim për Turqinë – Inflacioni bie më shumë nga sa pritej. Pozitiv për lirën
Inflacioni në Turqi u ngadalësua më shumë se ç’pritej në Maj, në 18.7%, prej rënies së çmimeve të mallrave familjare dhe ushqimeve, ndërkohë që vendi përballet me pasojat e krizës së valutës të vitit të kaluar. Në kulmin e krizës, që fshiu 30% të vlerës së lirës kundër dollarit, inflacioni arriti nivelin më të lartë në 15 vite prej 25%.
Mallrat e ekonomive familjare ranë me 1.58%, ndërsa ushqimet dhe pijet jo-alkoolike humbën 1.18%, sipas institutit turk të Statistikave. Rritja më e madhe rezultoi te pijet alkoolike dhe duhani, me 8.88%, ndërsa veshjet treguan rritje të çmimeve me 4%. Lira u tërhoq në 5.8925 kundër dollarit pas publikimit të të dhënave. Sipas analistëve, tregjet i interpretuan të dhënat mi inflacionin si një sinjal që banka qendrore do të ulë normat e interesit më shpejtë se ç’pritej, çka do të jetë pozitive për valutën.
Shqetësimet mbi aftësinë e bankës qendrore për të luftuar inflacionin, përballë thirrjeve të presidentit Erdogan për të ulur interesat, nxitën shitjen e valutës vitin e kaluar. Institucioni qendror rriti normën bazë të interesit në 24% në Shtator për t’i bërë ballë rritje së inflacionit. Rritja e kostove të huamarrjes së bashku me rritjen e çmimeve të importit, goditën aktivitetin ekonomik, duke çuar vendin drejt recesionit. Ekonomia u tkurr me 3% në tremujorin e katërt 2018 dhe me 2.6% në fillim të 2019-ës.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.