“Pak nisma për reduktimin e mbetjeve” – Ekonomia qarkulluese, Biba: Duhet rritur ndërgjegjësimi i qytetarëve
Pavarësisht se ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” është miratuar që në vitin 2011, institucionet shtetërore kanë marrë pak nisma konkrete në drejtim të stimulimit të reduktimit, ripërdorimit apo riciklimit. Ndërkohë që edhe sensibilizimi i qytetarëve mbetet i ulët, çka rrit domosdoshmërinë për angazhimin e tyre për një mjedis më të pastër. Për këtë arsye, projektit “Zero Mbetje” është fokusuar te rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi përfitimet që sjell ekonomia qarkulluese.
Të gjithë gjimnazistët e kryeqytetit, që duan të ulen në një tavolinë “virtuale” e të diskutojnë mbi mundësi dhe zgjidhje të qëndrueshme, mund të bëhen pjesë e kësaj sfide, duke aplikuar online.
Ekonomia qarkulluese është e përqendruar në prodhimin e qëndrueshëm, duke shmangur ndotjen. Në një ekonomi të tillë, mbetjet minimizohen dhe burimet përdoren në mënyrë afatgjatë, nëpërmjet reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit të tyre. Kjo në ndryshim nga ekonomia lineare, ku, lëndët e para futen në përdorim në një proces të caktuar prodhimi, në fund të të cilit gjenerohen mbetje.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.