Pakësohen hallet për Greqinë – Nuk i nevojiten 86 mld euro, por shumë më pak

Greqisë do t`i nevojiten më pak para nga çfarë ishte parashikuar më parë nën planin e tretë të shpëtimit, si pasojë e zhvillimeve buxhetore mbi pritshmëritë, deklaroi kreu i Mekanizmit Europian të stabilitetit, Klaus Regling.
“Në fund të programit të shpëtimit, që projektohet në muajin Gusht të vitit të ardhshëm, Mekanizmi Europian i Stabilitetit do të ketë paguar bindshëm më pak para se 86 miliardë eurot e dakordësuara më parë”, shtoi ai.
Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë përpara takimit të ministrave europianë të financave në Bruksel, të cilët do të diskutojnë pikërisht për Greqinë.
Rishikimi i dytë i programit të shpëtimit të Greqisë mbetet pezull prej muajsh, dhe gjatë ditëve të fundit, pavarësisht progresit në negociata, përplasjet mes kreditorëve europianë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë, kanë gjeneruar një ngërç.
Vetë Athina zyrtare ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të ndërmarrë më asnjë masë shtrënguese për të vijuar me programin, qoftë edhe një euro të vetme.
Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon shkurtime të mëtejshme pensionesh, ndërkohë që ekzekutivi helen i është përgjigjur duke thënë se këto kërkesa janë jologjike.
FMN dhe Berlini nga ana tjetër ndahen në një çështje tjetër thelbësore, lehtësimin e borxhit grek. Zërat e fundit flasin për një angazhim minimal të Fondit në programin e tretë të shpëtimit të Greqisë, me vetëm 5 miliardë euro, nga 16 miliardë që parashikohej më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.