Paketa “Anti-KÇK” dhe OFL – Rama: Do i godasim kriminelët te pasuria. Gjyqtarët do të japin llogari
Gjatë diskutimeve të ndryshimeve ligjore për paketën e njohur tashmë si “Anti-Kçk”, Kreu i Qeverisë Edi Rama është shprehur me tone mjaft të ashpra lidhur me ata gjyqtarë e prokurorë që po kryejnë shkelje të rënda në pritje të shkarkimit nga Vetting-u, por edhe ndaj eksponentëve të krimit, të cilët tashmë duhet të përgjigjen për pasuritë e tyre. Rama tha se ndryshimet ligjore bëjnë të mundur pezullimin e menjëhershëm nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë i çdo gjyqtari e prokurori që kryen akte korruptive, gjë që deri tani ishte e pamundur.
Ai përmendi lirimet e bujshme të disa kriminelëve të dënuar me burgime të rënda, ndërkohë që paralajmëroi se paketa anti-kçk dhe Operacioni Forca e Ligjit do të jenë një thikë në zemër të krimit pasi godet atë që ky i fundit ka më të shenjtë, pasurinë.
Paralelisht, Kuvendi mori në shqyrtim edhe ndryshimet ligjore që shmangin betimin përpara Presidentit të Republikës të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.