Paketa e katërt e privatizimit – Ministria e Ekonomisë bën gati për ankand 50 objekte
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgatitur paketën e katërt të privatizimit me 50 objekte, të ish-ndërmarrjeve shtetërore tashmë në faliment.
Objektet shtrihen në të gjithë vendin, por një pjesë e madhe e tyre u përkasin kryesisht institucioneve si Ministrisë së Transporteve, Qarkut të Elbasanit, Ministrisë së Mjedisit dhe Drejtorisë së Ruajtjes së Rezervave të Shtetit.
Nga dikasteri i Zhvillimit Ekonomik janë hartuar tre listat e mëparshme secila me 60 dhe nga 40 objekte janë paraqitur tashmë në Ministrinë e Financave.
Kërkesa për privatizimin e një aseti shtetëror mund të drejtohet në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes apo në institucionin përkatës që ka në administrim/ pronësi objektin që kërkon të privatizohet, e cila mund të bëhet nga pronari i truallit ose çdo person tjetër/institucion i interesuar për blerjen e asetit.
Kërkesa duhet të përmbajë emërtimin e saktë të institucionit që i drejtohet kërkesa, emërtimin e saktë të objektit dhe vendndodhjen e objektit që kërkon të privatizojë.
Nëse kërkuesi është pronar trualli, kërkesa e mësipërme duhet të shoqërohet edhe me vendimin përkatës të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave, nëpërmjet të cilit personi apo trashëgimtarët kanë të drejtën e parablerjes së objektit përkatës, së bashku me plan vendosjen e tij.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat e parashikuara nga privatizimet për këtë vit në buxhetin e shtetit janë 4 milionë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.