Paketa e re fiskale, 7 ligjet që pritet të ndryshojnë. Nga taksa e pasurisë, akciza, procedurat te ndarja e tatimfitimit me tatimin mbi të ardhurat

Paketa e re fiskale e qeverisë pritet të parashikojë ndryshimin e 7 ligjeve. Kjo parashikohet në listën e akteve që do të propozojë për miratim në Këshillin e Ministrave nga ministria e Financave. Një ndër ndryshimet kryesore pritet të jetë ndarja e ligjit për tatimin mbi të ardhurat nga tatami mbi fitimin. Për këtë qëllim, parashikohet të propozohen dy ligje të veçanta, njëri për tatim fitimin dhe tjetri për tatimin mbi të ardhurat.
Po ashtu, një ligj tjetër i rëndësishëm i paketës së re fiskale do të jetë ai për taksën e pasurisë. Ligji pritet të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës së pasurisë së paluajtshme, procedurën për mbledhjen e saj si dhe masat shtrënguese që do të përdoren me qëllim që të mundësohet arkëtimi i saj.
Paketa e re fiskale pritet të ndryshojë edhe ligjin për akcizat, për taksat kombëtare, për taksat vendore si dhe ligjin për procedurat tatimore, raporton SCAN.
Synimi i ndryshimeve ligjore do të jetë ai i krijimit të një kuadri ligjor që ul burokracinë dhe zvogëlon nevojën për interpretim. Ndryshimi i 7 ligjeve, sipas ministrisë së Financave do të bëhet në përputhje me programin buxhetor dhe konform marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.