Paketat për ekonominë, të fundit në Europë, Basha: “Asnjë lek për të lehtësuar krizën, paratë po shkojnë për koncesione e inceneratorë”
Në një konferencë për shtyp të zhvilluar të enjten Kreu I Opozitës Lulzim Basha I ka quajtur tronditëse të dhënat e publikuara nga FMN lidhur me buxhetin e vënë në dispozicion nga Qeveria për të përballuar efektet e Pandemisë. Basha theksoi se Shqipëria ka investuar vetëm 0.86% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për të përballuar pandeminë duke u renditur e fundit në Europë për mbështetjen financiare për krizën shëndetësore e ekonomike. Teksa komentoi grafikët e publikuar nga Fondi Monetar, kreu I Partisë Demokratike akuzoi se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk i përgjigjen njerëzve dhe halleve te tyre pas pandemisë.
“Është vendi i fundit në Europë. Tani atë që çdo qytetar e ka ndjerë në kuletën e vet, atë që çdo familje e ka ndjerë në familjen e përnatshme, atë që çdo prind e di fare mirë për pamundësitë për të financuar ushqimin, shkollimin, veshmbathjen e fëmijëve. Atë që çdo pacient dhe familjar pacienti që Covidi kur i sëmur është një e keqe dyfishtë shëndetësore dhe ekonomike, sepse Edi Rama dhe njerëzit e tij nuk i përgjigjen njerëzve, nuk i japin ndihmën që meritojnë të marrin nga taksat që kanë paguar. Këtë realitet e kemi zyrtarisht të pasqyruar në raportin e FMN. Një vend me dy paketa anemike që nuk u disbursuan të plota.
Disbursimi total i të dyjave paketave është 101 mln euro. Për miliona shqiptarë në vështirësi kaq lekë ndau Edi Rama ndërkohë që shqiptarëve u ka marrë 40 herë më shumë para me taksa, tatime dhe tarifa.”
Basha shtoi se një kryeministër sadopak normal do të reflektonte të paktën në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm për zbutjen e krizës, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur, pasi Qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për të ndihmuar njerëzit, ndërkohë që Buxheti 2021, 120 milion € për konçesionet, 20 milion € për incineratorët e mbetjeve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.