Pakti i Mirëqenies Sociale, Xhaçka: Reformuam skemën e pensioneve, shpëtuam financat nga kolapsi
Ministrja e re e Mirëqenies Sociale, Olta Xhaçka ishte e pranishme në takimin me temë “Pakti i Mirëqenies Sociale” ku foli për arritjet e qeverisë për skemën e pensioneve, për masat që janë marrë për kategoritë në nevojë dhe mbështetjen e tyre.
Gjithashtu, gjatë fjalës së saj ajo ka vlerësuar punën paraardhësve të saj Veliaj dhe Klosi, duke thënë se:
“Dua të kontribuoj në një sektor, që është bërë për tre vite më shumë se çfarë u bë në 25 vite bashkë. Falë punës së Veliajt dhe Klosit nuk kemi një skemë të falimentuar të pensioneve, por një skemë të pensioneve më të larta. Nuk kemi më shkolla të rrënuara, por kemi arsim profesional të lidhur me praktikën më të mirë të tregut të punës. Nuk kemi më ngrehina të vdekura që lëshonin vërtetime papunësie, por kemi zyra për ofrimin e punësimit. Reformuam skemën e pensioneve, shpëtuam financat publike nga kolapsi, rritëm përfitimet për pensionistët. Vendosëm pensionin social për ata që nuk plotësonin kushtet, në masën 6.700 lekë. Rritëm me 1.2 mld lekë fondin e pensioneve për zbatimin e reformës dhe ulëm moshën e daljes në pension për minatorët. 2280 minatorë përfitojnë pension të plotë të rritur dyfish. Rritëm edhe pensionet e 6600 veteraneve të luftës ne 15.6 për qind. 600 mijë pensionistë përfituan rritje nga mirëmenaxhimi i financave publike” theksoi Xhaçka.
Po kështu ministrja e re e Mirëqenies Sociale, Xhaçka foli edhe për masat e ndërmarra nga qeveria për punësimin. Sipas saj këto masa nisën që me reformimin e arsimit profesional.
“Rritëm me 40 për qind numrin e të rinjve që zgjodhën zanatin dhe profesionin. Hapëm 23 zyra të reja punësimi, 5-fishuam fondet për punësimin dhe rritëm përkrahjen ndaj njerëzve në nevojë. Do të vazhdojmë të bëjmë ndërmjetësim direkt mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe do rrisim fondet për nxitjen e punësimit”, u shpreh Xhaçka.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.