Pallatet e dëmtuara, banesat e shembura dhe ato të pabanueshme, ja bilanci paraprak i dëmeve nga tërmeti
Zv.ministrja e brendshme Romina Vodo në një konferencë të tretë për shtyp në ditën e sotme ka vijuar me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës së institucioneve publike dhe Zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore që drejtohet nga ministri fuqiplotë në perimetrin e zonave të prekura, z. Bledi Çuçi, për bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.
Fillimisht qendra e re dispençer e vendosur nga qeveria me tre numra në dispozicion të banorëve të prekur nga tërmeti, sipas të dhënave ka marrë në ditën e sotme 101 thirrje me plot 79 prej tyre që ishin nga qytetarët për dërgimin e ekspertëve dhe verifikimin e dëmeve në banesa.
Përsa i përket banesave të dëmtuara dhe atyre të shembura, që janë cilësuar si të pabanueshme shifrat në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër janë si më poshtë:
Shtëpi të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)
Shtëpi të dëmtuara rëndë: 5497 (Durrës 1311, Tiranë 3821, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)
Shtëpi të dëmtuara lehtë: 3520 (Tirana 3199, Dibër 73, Elbasan 248)
Pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)
Pallate të dëmtuara lehtë: 335 (Tiranë 328, Elbasan 7)
Shkolla të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan
Kabina elektrike të dëmtuara: 15 (Tiranë)
Biznese të dëmtuara: 146 (Tiranë)
Qendra shëndetësore: 2 (Tiranë 1, Kukës 1)
Në komunikatë gjithashtu falënderimi shkonte për shtetet mike të Shqipërisë që kishin dërguar ekspertët inxhinierë për verifikime, me ministren që u shpreh se në terren tashmë janë plot 159 profesionistë të kësaj fushe duke u marrë me inspektimet e banesave.
Operacioni vazhdon me intensitet edhe në prishjen e ndërtesave të cilat kanë pasur dëmtime mjaft të rënda:
“Në qarkun Durrës për periudhën 29 Nëntor-2 dhjetor janë shembur nga rreth 17 objekte, prej të cilave:
- Durrës – 9 objekte
- Thumanë – 8 objekte
Janë në proces prishje në total në shkallë Qarku 6 objekte: 5 në Durrës dhe 1 pallat në Thumanë” – shkruhej më tej në komunikatë.
Informacioni i radhës nga Zyra Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore do të vijojë nesër në orën 18:30.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.