[PAMJET] Restaurohet së shpejti shkolla “Ali Demi” në kryeqytet – Bashkia hap tenderin me vlerë 38.1 mln lekë

Nxënësit e shkollës “Ali Demi” së shpejti pritet të zhvillojnë mësim në ambiente të reja. Pas përfundimit të procedurave të studimit dhe projektimit, Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e prokurimit publik për rikonstruksionin e shkollës “Ali Demi”.
Godina dykatëshe në të cilën mësojnë aktualisht 1005 nxënës zhvillon mësimin me dy turne për shkak të rritjes së numrit të nxënësve. Nga vlerësimi paraprak i objektit, rezulton se gjendja aktuale e shkollës paraqitet problematike në disa drejtime dhe në këtë mënyrë është parë e domosdoshme ndërhyrja në këtë objekt, i veçuar edhe më herët në listën e investimeve të bashkisë.
Kështu, nga detajet e projektit është parashikuar që fusha ekzistuese të rrethohet dhe në krah të saj të vendoset një shkallare. Sa i takon sistemimit të jashtëm, ai është konceptuar si një hapësirë rekreative në funksion të nxënësve. Ndërkohë, për shkak të amortizimit, do të instalohet rrjet i ri elektrik në të gjithë godinën.
Ndërhyrje të tjera përfshijnë vendosjen e dyerve e dritareve të reja si dhe është propozuar po ashtu edhe një shtesë në katin përdhe në ndihmë të ambienteve të palestrës.
Për këtë investim është vënë në dispozicion një fond limit prej 38.1 mln lekësh pa TVSH, ku zbatimi i punimeve përfshin një periudhë kohore 6 muaj nga nënshkrimit i kontratës. Sa i takon operatorëve ekonomikë të interesuar, afati për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje është data 4 prill 2019.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.