Panariti takon Komisionerin e lartë të BE, Hogan. Diskutojnë për përmbytjet dhe sëmundjet në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, gjatë një vizite në Bari të Italisë, u takua me Komisionerin e lartë Evropian të Bujqësisë, Phil Hogan. Në qendër të bisedimeve të ministrit dhe komisionerit, ishin ujitja, parandalimi i përmbytjeve, si dhe parandalimi i sëmundjeve në bujqësi, të lidhura këto me ndryshimet klimatike.
Panariti e informoi Komisionerin Hogan, për ndërhyrjet dhe investimet në fushën e ujitjes dhe kullimit, si dhe kërkoi rritjen e mbështetjes nga Bashkimi Evropian në këtë drejtim. Gjatë bisedës, ministri Panarit e njohu komisionerin Hogan, edhe me disa prej arritjeve të Ministrisë së Bujqësisë, nga vitin 2014 e deri në shkurt 2017.
“Financimi total i buxhetit të shtetit dhe financimeve të huaja për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjen nga përmbytjen, kanë arritur shifrën e 16.1 miliardë lekësh”, tha Panariti, i cili theksoi se gjatë kësaj periudhe, sipërfaqja e ujitshme ka arritur në 225.000 hektarë, nga 105.000 që ishte në vitin 2013.
Duke renditur dhe treguesit tjerë të zhvillimeve pozitive në sajë të përpjekjeve të Ministrisë së Bujqësisë, Panariti tha se:
“Janë rehabilituar 35 diga rezervuarësh që përdoren për ujitje, janë përmirësuar treguesit e kullimit në një sipërfaqe prej rreth 150.000 hektarësh dhe janë rikonsruktuar apo rehabilituar e mirëmbajtur rreth 65 kilometër argjinatura të mbrojtjes nga përmbytjet”.
Gjithashtu, gjatë bashkëbisedimit me Komisionerin e lartë të BE-së, Panariti e njohu dhe me mbajtjen në funksion të 29 hidrovoreve, realizimin e rikonstruksionit të plotë të 3 hidrovoreve, siç janë ato në Tale (Lezhë), Velipojë e Çasi në Shkodër, si dhe zgjerimin e parkut të makinerisë së rëndë me 71 ekskavatorë, nga të cilët, 10 për Bordet e Kullimit dhe 61 për bashkitë.
“Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes, i financuar nga Banka Botërore, me 31 milionë Euro, është bërë efektiv në Maj 2013 dhe sipas marrëveshjes të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, përfundon në Maj 2018. Po ashtu, ka përfunduar rehabilitimi i digave dhe deri në gusht 2017, përfundon edhe rehabilitimi i skemave ujitëse për 20 mijë hektarë të parashikuar. Pra, ecuria dhe produktet e parashikuara për këtë projekt janë brenda afatit kohor të përcaktuar në marrëveshje”, theksoi ministri, i cili e ftoi Hogan për një vizitë në Shqipëri.
Ftesa u prit me kënaqësi, ndërkohë që Komisioneri e siguroi Panariti për rritje të mbështetjes në fushën e bujqësisë dhe sidomos në drejtim të administrimit të efektshëm të burimeve ujore.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.