Pandemia do të ulë prodhimin kombëtar. Edhe Banka e Shqipërisë parashikon rënie ekonomike për vitin 2020
Edhe Banka e Shqipërisë ka konfirmuar sot projeksionin për rënie të ekonomisë shqiptare këtë vit, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid 19. Guvernatori, Gent Sejko, tha pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se prodhimi kombëtar do të pësojë rënie për vitin 2020, ndërsa do t’i kthehet rritjes vitin e ardhshëm. Megjithëse Banka e Shqipërisë nuk bën publike parashikime pikësore, skenari i saj përputhet me atë të publikuar këtë javë nga Banka Botërore, që priste një rënie të ekonomisë shqiptare me rreth 5% gjatë vitit 2020 dhe një ringritje të shpejtë në vitin 2021.
Nga ana tjetër, Sejko theksoi se projeksionet Bankës së Shqipërisë mbështeten në supozimin se ekonomia do t’i kthehet gradualisht normalitetit pas tremujorit të dytë. Nëse pasojat e infeksionit Covid-19 do të shtrihen më gjatë në kohë, edhe efektet në ekonomi do të jenë më të rënda. Sipas Guvernatorit, nëse ky skenar pesimist do të vërtetohet, Banka e Shqipërisë është e gatshme të vijojë më tej lehtësimin monetar, duke përfshirë edhe aplikimin për herë të parë në historinë e saj të instrumenteve jo konvencionale të politikës monetare.
Guvernatori Sejko tha se deri tani sistemi bankar ka lehtësuar bizneset dhe familjet nga këstet e kredive, në ndjekje të masave të miratuara nga Banka e Shqipërisë në muajin mars. Deri tani, bankat kanë shtyrë pagesat për 22 mijë kredi, për një portofol total në vlerën e rreth dy miliardë eurove. Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë mund të miratojë masa të reja lehtësuese për të mundësuar ristrukturimin e kredive për sektorët ekonomikë dhe për bizneset më të prekura nga kriza.
Guvernatori bëri të ditur se deri tani sistemi bankar ka miratuar rreth 70 kredi në kuadrin e skemës së parë garancisë sovrane të qeverisë shqiptare, për një shumë totale prej rreth 8.5 milionë eurosh.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.